Ėndrra e Don Kishotit

Klasa e letėrsisė

faqe nė ndihmė tė gjimnazistėve

Materiale ndihmėse Post New Entry

Retorika,publiku dhe Jul Cezari

Posted by Rezar Naco on February 16, 2011 at 3:46 PM Comments comments (5)

Mediat dhePolitika

Nga Gëzim Mekuli*

 

 

 

Ju kujtohet tragjedia e Jul Cesari-t të Shekspirit? Brutus dhe Antonius mbajnë fjalimet e tyre të mëdha para qytetarëve romak. Ndikimi dhe bindja tek publiku romak është shumë i madh. Dramaturgu i pavdekshëm Shekspir dramatizon se si që të dy folësit, përmes fjalimeve të tyre, e arrijnë qëllimin që të kenë publikun romak për vete. Folësi i parë është Brutusi; Vrasësi i Cesarit. Brutusi, ndër tjerash, në fjalimin e tij, para qytetarëve romakë, argumenton, se vrasja është e nevojshme dhe e domosdoshme për arsye politike. Sipas tij, kështu, do të mund të pengohet Cesari ambicioz që të vetëshpallet mbret. Brutusi veçon dhe përdallon në mes dashurisë për Cesarin dhe dashurisë për Romen. Dhe, Brutusi fton (përmes figurës retorike, antimetabolës) qytetarët romakë që të veprojnë mu si edhe Brutusi. Ky shtron edhe pyetje retorike: "Do të dëshironit të kemi një Cesar të gjallë dhe të gjithë të vdesim si skllevër, se sa të kemi një Cesar të vdekur dhe të gjithë të jetojmë si njerëz të lirë? Publiku romak lejon plotësisht të ndikohet dhe të manipulohet nga fjalimi i Brutusit. Ky publik tjetërsohet dhe padjallëzisht e verbërisht i fal besimin Brutusit. Më pas fjalën e merr Antonius, përkrahësi i Jul Cesarit. Antonius e di se publiku është kundër tij. Andaj edhe për asnjë çast nuk e merr në gojë Cesarin, mikun, të dashurin dhe të shtrenjtin e tij të jetës. Ky nuk flet keq as edhe për Brutusin. Në vend të kësaj Antonius lavdëron Brutusin dhe përkrah këtë në akuzat e tij kundër Cesarit. "Kam ardhur ta varros Cesarin, e jo ta lavdëroj atë... Ai ishte miku im, besnik dhe i arsyeshëm me mua: Por Brutusi thotë ai ishte ambicioz; Dhe Brutusi është një njeri i ndershëm".

Këto dy fjalime janë kryevepra retorike. Por thelbi dhe qëllimi i këtij artikulli nuk është Shekspiri. Është tjetra: Në këto fjalime shohim se folësit kanë një shumëndikim tek publiku. Pas fjalimeve të këtyre folësve publiku sillet edhe si një lloj marionete. Kemi këtu një publik i cili vullnetarisht i lejon vetes që të bie nën ndikim "të argumenteve" të ndryshme të përzgjedhura nga folësit. Kështu publiku edhe shndërrohet në një "qengj" të butë. Ndikimi në publik është shembull i një peshe të madhe edhe për aktualitetin tonë politik. Sepse në Kosovë kemi një diskurs retorik i cili hapur kërkon të ndikojë në publikun e tij. Publiku në Kosovë është një publik i njomë dhe, duke pasur në konsideratë rrethanat politike, ekonomike e sociale, mund të them se ky publik është edhe i "papjekur".


Edhe për retorikasin e madh Perelman dheOlbrechts-Tyteca, publiku nuk është konkret dhe i materializuar, por është vetëm një konstruksion i ndërtuar nga fjalimet e folësit apo/dhe folëses. Në këtë kontekst e në këtë vështrim do të veçoja fjalimet retorike të disa politikanëve në lidhje me zgjidhjen e statusit të Kosovës, e që janë duke u shpeshlansuar nga mediat. E them këtë sepse është vetëdalluese dhe fuqindikuese diskursi retorik dhe fjalia e shpeshthënë: "Decentralizimi në baza etnikenë Kosovë, bëhet për hir të pavarësisë së Kosovës. Sepse më mirë një Kosovë të decentralizuar e me pavarësi, se sa një Kosovë të padecentralizuar e nën Serbi". Është kjo një fjali që na kujton mashtrimin dhe tradhëtinë që Brutusi i bëri Jul Cesarit. Edhe në këtë diskurs retorik të politikanëve hasim në figurën retorike antimetabolën. Kjo figurë retorike përmes krahasimit krijon tensione dhe njëkohësisht një fotografi "të qartë" në mes të "mirës" dhe të "keqes". Ky krahasim retorik bëhet me vetëdije e qëllim që efekti për të bindur publikun shqiptar të Kosovës të jetë sa më i madh, dhe natyrisht bindja të jetë sa më e shpejtë, e sa më jetëgjatë.Perelman dhe Olbrechts-Tyteca shprehen se secili folës dhe/apo folëse mendon në mënyrë të vetëdijshme apo edhe të pavetëdijshme në personat e tij. Sepse këta persona përbëjnë edhe vet publikun e tij. Fjalia e përdorur me pompe: "Decentralizim për hir të pavarësisë", dhe "Më mire pavarësi të kushtëzuar se sa mbetje nën Serbi", ka si qëllim që të krijojë një publik që do të ishte edhe bartës i atyre politikave që janë të interesuara të bëjnë një zgjidhje që këta e mendojnë si "ideale" dhe të "mirë", si për Shqiptarët e po ashtu edhe për Serbët. Ka kjo fjali për qëllim ndikimine një publiku të  veçantë dhe të paracaktuar?

Perelman dhe Olbrechts-Tyteca dallojnë dy lloj publikësh; atë universal dhe atë të veçantë. Publiku universal përbëhet nganjerëz të ndërgjegjshëm dhe kompetent, përderisa publiku i veçantë përbëhet nga njerëz të të gjitha shtresave: si të atyre të ndërgjegjshëm e po ashtu edhe të atyre të pandërgjegjshëm; si nga njerëzit kompetent dhe atyre jo kompetent.

Në këtë rast fjalimet e politikanëve shqiptarë dhe të huaj, në Kosovë, mund të thuhet se u drejtohen një publiku të veçantë. E them këtë sepse qëllimi i tyre është që të bindin dhe t’u mbushin mendjen edhe personave me kompetenca, si dhe të atyre që nuk i kanë këto; të papërgjegjshmëve dhe të përgjegjshmëve. Publiku i tyre kualitativ duhet të jetëi lakueshëm dhe lehtëbindur, e, kjo më së miri realizohet përmes njerëzve përçues; përmes "njerëzve me kompetenca e përgjegjësi". Prafjalia retorike si "Decentralizim për hir të pavarësisë së Kosovës" i drejtohet një grupi të caktuar të njerëzve; në këtë rast fjalia retorike ju drejtohet publikut shqiptar të Kosovës. Kjo fjali retorike kërkon që të bindë dhe të ushtroj ndikim, pikë së pari tek shqiptarët me shkollim të lartë, e pastaj përmes tyre të arrijë dhe bindjen dhe ndikimin e shtresës tjetër të publikut shqiptar të Kosovës.

Se a do të arrihet një zgjedhje faqëbardhë e statusit të Kosovës vetëm përmes diskursit e bindjes retorike, e duke përjashtuar faktet tjera arkeologjike, historike, kulturore, demografike e antropologjike të këtij populli, mbetet të shihet.

 

 

 

*Kandidat për doktorant në fushën e shkencave të mediave dhe retorikës

 


F. S. Noli - Itrodukta e "Don Kishotit"

Posted by Rezar Naco on August 2, 2010 at 5:55 PM Comments comments (1)

(fragmente)


Servantesi e shkroi Don Kishotin, sikundër na thotë ai vetë, me qëllim që të diskreditonte librat e kalorësisë. Vepra e tij, pra, ishte doemos revolucionare, se për të diskredituar librat e kalorësisë duhej të diskreditonte tërë Kohën e Mesme me të gjitha përrallat e saj. Për këtë qëllim, Servantesi zgjodhi si heronj të veprës së tij dy nga tipat më reaksionarë dhe medievalë, që kishte e që kemi akoma përpara sysh: bejlurçinën, sojliun e fandaksur të katundit, Don Kishotine Mançës, dhe laron, sejmenin, fshatarin e varfër e të paditur, Sanço Pançën. Këta të dy marrin përsipër barrën të ringjallin periudhën e kalorësve të arratisur, domethënë ta kthejnë Spanjën dhe tërë botën nja 300 vjet prapa e të hidhen: nga Spanja e madhe e centralizuar, që ka zaptuar gjysmën e Amerikës, në Spanjën e vogël të përçarë dhe të shtypur prej arabëve; nga Koha Moderne në Kohën e Mesme; nga kapitalizmi në feudalizëm; nga dyfeku dhe topat në shtijëzën dhe çomangën; nga shkenca në magji; nga historia në përrallat; nga përparimi në errësirën.

Për të kuptuar Don Kishotin e Sanço Pançën, duhet të kuptojmë mirë klasat shoqërore spanjolle prej të cilave kanë lindur, domethënë klasën e aristokratit të vogël, nga njëra anë, dhe klasën e fshatarit të varfër e të paditur, nga ana tjetër, në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Në Spanjën e Kohës së Mesme aristokratët e vegjël pajtoheshin si qehajaj pranë feudalëve çiflik – sahibinj e veçanërisht si kapedanë komitaxhinj të çetave që luftonin kundër arabëve. Si u çlirua Spanja prej arabëve dhe si u modernizua përgjysmë, aristokratët e vegjël, që nuk shkuan në Amerikë, mbetën pa punë. U varfëruan, u proletarizuan, u deklasuan, ranë nga dynjallëku, se s’kishin bazë ekonomike, se iu pre irati dhe kështu mbetën në erë. Nga oxhaku dhe nga kultura lidheshin me aristokracinë feudale të lartë, po nga varfëria zbrisnin në shkallën e fshatarëve. S’ishin as tamam aristokratë, as tamam fshatarë, po ca më keq se që të dy palët. Pra, ishin më reaksionarë se feudalët e lartë dhe më budallenj se fshatarët e varfëre të paditur. Duke mos pasur as punë, as bazë, kërkonin dhe përpiqeshin t’i gjenin këto të dyja jo përpara, se s’kishte të pritme për klasën e tyre të vdekur, po prapa, në kohët e vjetra, kur klasa e tyre kishte një punë dhe një bazë. Kështu, Don Kishoti kërkon e gjen punë si kalorës i arratisur, siç ishin stërgjyshërit e tij. Kështu, Don Kishoti kërkon e gjen bazë në përrallat e klasës së tij, në librat e kalorësisë. Ç’ka se bota ka vajtur përpara. Don Kishoti e merr përsipër ta kthejë botën prapa, ashtu siç e do interesi i klasës së vet.

Si shok natyral në këtë kryqëzatë, Don Kishoti gjen fshatarin e varfër e të paditur, që e ka në prag të derës, Sanço Pançën. Se edhe ky ka mbetur pa punë e pa bazë ekonomike e ndodhet në një gjendje analoge si dhe Don Kishoti. Në Spanjën e Kohës së Mesme, fshatarët e varfër kishin punë si komitaxhinj kundër arabëve, si laro, si mercenarë e si sejmenë të feudalëve. Në Spanjën moderne vdesin urie. Nuk shohin ndonjë avenir përpara, se industria nuk është zhvilluar mjaft në qytet sa t’i mbledhë si punëtorë të fabrikës. Pra, kërkojnë edhe këta punë dhe bazë prapa, në kohët e kaluara. Kështu, Sanço Pança bëhet sejmen i bejlurçinës, siç ishin stërgjyshërit e tij. Ndryshimi i madh midis Don Kishotit e Sanço Pançës është se ky i fundit s’ka kënduar libra kalorësie. Pra, ky s’i beson përrallat e Kohës së Mesme e s’ka iluzionet e Don Kishotit, dhe është shumë më i mençur se ustai i tij, se librat s’ja kanë shtrembëruar mendjen. Megjithëkëtë, ndonëse e sheh në çdo çap e në çdo aventurë se ustai i tij është i marrë për të lidhur, prapë i vete pas, siç i vete pas çdo katundar bejlurçinës a agait të fshatit, se e ka pasur den-baba-den shef, usta e kapedan nga shkaku i oxhakut, i kulturës, i traditës. Kështu, kemi gjendjen paradoksale të katundarit kundrejt bejlurçinës, të Sanço Pançës e të Don Kishotit, që mund të përmblidhet kështu: Sanço Pança është më i mençur nga Don Kishoti, se s’di të këndojë, po i vete pas, se Don Kishoti di të këndojë e se duhet doemos nga ky shkak të jetë më i mençur. Kështu, Sanço Pança mbetet besnik i ustait gjer në fund. Bile, kur vdes Don Kishoti, e qan me lot të hidhur, ndonëse e merr vesh më në fund që ai e gënjeu dhe e mori më qafë me librat e kalorësisë.

Si shpjegohet popullariteti i Don Kishotit? Fare lehtë. Tipi i bejlurçinës, si dhia e zgjebur me bishtin përpjetë, dhe tipi i laros, që i vete bejlurçinës pas e përpiqet të mbajë rëndësi pas ustait, kanë qenë gjithmonë qesharakë. Këta tëdy tipa bëhen më qesharakë, kur vishen si kalorës të arratisur dhe shëtisin si në karnavalet. Pastaj bëhen më qesharakë, kur këta të dy gogozhelë pretendojnë se do ta kthejnë rrotën e historisë prapa e do të ringjallin një periudhë që ka vdekur përgjithnjë. Përfundimi ca më qesharak i përpjekjeve të tyre i vë tenxheres kapakun. Çift më qesharak, me rroba më fantastike, me qëllime më absurde e me përfundime më groteske nuk mund të imagjinohej. Këtu kemi në fytyrën e Don Kishotit poezinë e bejlurçinës, dhe në fytyrën e Sanço Pançës prozën e laros. Kur bëhen qesharakë dhe hanë dru, doemos këndonjësit gëzohen, që në fytyrën e tyre bëhen qesharakë dhe hanë dru dy klasat shoqërore më të urryera dhe më prapavajtëse, klasa e bejlurçinës dhe klasa e laros. Se këta i ka pasur mileti mbi kokë si oficerë, si nëpunës, si ushtarë, si zaptie, si komitaxhinj, si hajdutë, si qehajaj, shkurt si vegla dhe agjentë të feudalëve e të shtetit feudal.

Po kjo vepër nuk do të ishte aq e bukur, sikur të na bënte vetëm të qeshim. Na bën edhe të qajmë. Se Don Kishoti është një idealist në tërë kuptimin e fjalës. Të gjitha këto i bën për të mirën e njerëzisë dhe aspak për ndonjë interes vetjak. Ka një optimizëm e një entuziazëm e një durim e një besim e një perseverancë heroike, që meritonin të përdoreshin për një çështje më të mirë. Na vjen keq kur shikojmë që i harxhon më kot për një çështje të humbur e që sakrifikohet për përrallat e reaksionit. Gjithashtu na mallëngjen edhe Sançoja me besnikërinë që tregon kundrejt Don Kishotit. Na këputet shpirti kur shikojmë fshatarin e varfër dhe të paditur të vdesë për bejlurçinën, i cili e merr më qafë dhe e handakos, me profka dhe iluzione.

Në Shqipëri kjo vepër do të kuptohet më mirë se kudo gjetkë. Se atje tipat e bejlurçinës dhe të laros i gjejmë në çdo çap. Pothuaj të gjithë aristokratët tanë, me ca përjashtime të paka, janë të deklasuar pa bazë ekonomike, dhe kanë rënë në klasën e bejlurçinave, që kur u shkëput Shqipëria prej Turqisë. Që atëherë aristokratët tanë, që i shërbenin Turqisë si kondotierë dhe shefë bashibozukësh, kanë mbetur pa punë. Gjithashtu kanë mbetur pa punë dhe pa bukë fshatarët dhe malësorët e varfër, që shkonin në kohët e vjetra me bejlerët si bashibozukë dhe hajdutë për të plaçkitur Evropën, Azinë dhe Afrikën. Këto dy elementë përpiqen tani të përjetësojnë në Shqipëri një gjendje feudale, medievale, prapanike dhe reaksionare, si atë të Turqisë së vjetër, të vdekur përgjithnjë, se ashtu ua do interesi i klasës, se ashtu gjejnë punë dhe bukë. Bejlurçinat dhe larot e Shqipërisë na bëjnë sot të qeshim e të qajmë me prapavajtjen e tyre, tamam si me Don Kishotin e me Sançon. Dhëntë zoti të na bëjnë nesër të qeshim vetëm, se na bënë të qajmë mjaft.

 

 


Aurel Plasari "Don Kishoti zbret nė Shqipėri"

Posted by Rezar Naco on August 2, 2010 at 5:41 PM Comments comments (2)

(fragmente nga sprova)


Don Kishotët e ndryshëm

Prej disa shekujsh Don Kishoti qëndron para kritikës si një sfinks i pakuptueshëm deri në fund. Komentuesit e shumtë të tij asnjëherë nuk janë mbuluar me lavdi, pavendosmëria dhe dyshimi i kanë ndjekur hap pas hapi. Ç’simbolizon Don Kishoti? Ç’ka dashur të thoshte Servantesi me këtë figurë? Ja pyetjet për të cilat edhe për shumë kohë njerëzit do të vazhdojnë të kërkojnë përgjigje përfundimtare, ndërkohë që, me kalimin e shekujve, atë vazhdon ta veshë një barok i tërë ngjyrash kuptimore... Kishoti i sotëm, për shembull, nuk është më ai i shek. XVII dhe as ai që do të jetë në shek. XXII.

Një hero i madh i pjellë në të tilla rrethana vjen një ditë e bëhet i pamëshirshëm: gllabëron babanë, përlan vëllezërit... Shkëputet nga vepra e nga shkrimtari dhe fillon të ekzistojë prej vetvetes e për vetveten. Dhe ne, thuajse padrejtësisht, dimë gjithçka për Don Kishotin para se t’ia kemi kënduar historinë. Madhësia e një figure të tillë tanimë matet me faktin se sa i drejtohen asaj brezat e rinj kur përpiqen për ta shpjeguar në përputhje me shqetësimet e tyre shpirtërore.

Këtu e dy shekuj të shkuar, DonKishoti s’ishte veçse një figurë komike. Kjo e kish bërë aq popullor mes spanjollëve; po, nga ana tjetër, kish ngjallur ndaj autorit të tij edhe përçmimin e mjaft letrarëve që e mbanin veten “ajkë të kohës”. U deshën të vinin, të themi, një Filding apo një Shegel, që figura e Kalorësit të Arratisur të fitonte më shumë dritë e thellësi.

Mjaft e afërt me protestën individualiste të romantikëve ngjante aspirata e Kalorësit. Kësisoj pikërisht e mendonin problematikën e librit të Servantesit romantikët dhe kësisoj hyri hidalgoja i tij, së toku me shqytarin e vet në veprat e tyre.

Për këtë krah revolucionar Don Kishoti përfaqësonte luftën e drejtë, të mbështetur në arsyen e në të drejtën e të fyerve. Ai përpiqet t’i bindë të tjerët me të mirë, por kur nuk ja pranojnë pa fjalë kushtet, shtie në përdorim forcën. Mundja e tij e, si rrjedhim i natyrshëm, edhe e çështjes që ai mbron e mishëron, i japin tonin pesimist e ironik, që përbën një nga karakteristikat e pavdekshme të mançarakut të pashoq; mirëpo, edhe në mundjen e tij, ai nuk heq që nuk heq dorë nga kryengritja. Nga kjo prirje për kryengritje të pareshtur e merr Kalorësi i Fytyrës së Vrerosur madhështinë e pabjerrshme.

“Mjerë ai – thërriste Merimeja në artikullin “Jeta e Servantesit” – të cilit asnjëherë nuk i kanë shkrepur në kokë qoftë edhe disa mendime të Don Kishotit dhe mjerë ai që nuk ka provuar mbi vete goditjet e hurit apo përqeshjet ngaqë është rrekur të vendosë drejtësinë!”. Merimeja pra, e braktis pikëpamjen aq të përhapur, sipas së cilës “Don Kishoti” është vetëm një reaksion ndaj pasionit për romanet kalorësiake.

Turgenievi, nga ana e tij, hedh poshtë opinionin e përhapur për Don Kishotin si një “luftëtar i mullinjve me erë” dhe orvatet të japë një karakteristikë përfundimtare të figurës. Ai sheh te Don Kishoti, para së gjithash, idealin e të shërbyerit pa interes e me vetëmohim ndaj së drejtës, së mirës, së vërtetës, për hir të të cilave është gati të vuajë privimet më të pamundura, të flijojë edhe jetën. “Jetën vetë ai e çmon për aq sa ajo mund të shërbejë për përmbushjen e idealit, për vendosjen e së drejtës dhe së vërtetës mbi dhe”.

 

 

Zbritja në Shqipëri

Vonë zbriste Don Kishoti në Shqipëri, pasi pat zbritur në kushedi sa vende të botës, porse zbriste në një mënyrë që do të shënohej në histori. Libri i shqipëruar prej Nolit bllokohej në çast nëpër doganat apo postat kufitare të mbretërisë. Edhe kur, pas presionit të opinionit publik të jashtëm e të brendshëm, mbreti Zog I u shtrëngua t’ia lejonte hyrjen në Shqipëri Don Kishotit, ky nuk shpëtoi pa një gjymtim: tëgjithë ekzemplarëve që kalonin censura u griste introduktën e shkruar prej shqipëruesit.

 

Don Kishoti i Nolit dhe paralelet

Dy janë paralelet kryesore që heq Noli për lidhjen e veprës së shqipëruar me aktualitetin, të cilit ja drejton shqipërimin, duke u futur ai vetë kështu në radhën e atyre studiuesve që e vështrojnë figurën e Don Kishotit të projektuar në bashkëkohësi. E para: mes Mesjetës nga ka dalë Kishoti dhe “Mesjetës” ku duan ta kthejnë Shqipërinë klasa e bejlerëve. E dyta: mes Spanjës së kohës së Servantesit, domethënë periudhës së dekadencës së saj së shek. XVII dhe Shqipërisë së kohës së Nolit frymëzënë nga kriza e rëndë ekonomike. E bënte këtë në një kohë kur shtypi zyrtar mbretëror ngrinte zhurmë të madhe për ta paraqitur ardhjen në fuqi të Zogut dhe klikës së tij si vendosje e “rregullit” në jetën e vendit, i cili qenkësh kredhur në anarki pas ngjarjeve të qershorit 1924. Edhe me këtë paralele Noli synon të tregojë se ngjarjet e dhjetorit 1924 nuk ishin një “Triumf i Legalitetit”, por një përmbysje kundërrevolucionare.

Pikësëpari, i kushton rëndësi përcaktimit të përkatësisë klasore të protagonistëve, si kyç për interpretimine tyre: “Për të kuptuar Don Kishotin e Sanço Pançën, duhet të kuptojmë mirë klasat shoqërore spanjolle prej të cilave kanë lindur, domethënë klasën e aristokratit të vogël, nga njëra anë, dhe klasën e fshatarit të varfër e të paditur, nga ana tjetër, në shekullin e shtatëmbëdhjetë.” Në “Republika” ai pat vënë re: “Shumica e kritikëve as e përmendin këtë gjë (gjendjen klasore), ndonëse kjo është rrënja e karakterit të Don Kishotit”. Pa u mjaftuar me përcaktimin e kësaj përkatësie, Noli bën një hap më tej, që s’e kish bërë gjer atëherë në shqipërimet, duke u gjetur protagonistëve të huaj ekuivalentët e tyre në shoqërinë shqiptare të kohës: “Kur bëhen qesharakë dhe hanë dru, doemos këndonjësit gëzohen, që në fytyrën e tyre bëhen qesharakë dhe hanë dru dy klasat shoqërore më të urryera dhe më prapavajtëse, klasa e bejlurçinës dhe klasa e laros. Se këta i ka pasur mileti mbi kokë si oficerë, si nëpunës, si ushtarë, si zaptie, si komitaxhinj, si hajdutë, si qehajaj, shkurt si vegla dhe agjentë të feudalëve e të shtetit feudal.”

Dhe këtu, në paralelizmin e protagonistëve si tipa përfaqësues klasësh të caktuara, e gjen ai arsyen kryesore se përse kjo vepër në Shqipëri “do të kuptohet më mirë se kudo gjetkë...Se atje tipat e bejlurçinës dhe të laros i gjejmë në çdo çap. Pothuaj të gjithë aristokratët tanë, me ca përjashtime të paka, janë të deklasuar pa bazë ekonomike, dhe kanë rënë në klasën e bejlurçinave, që kur u shkëput Shqipëria prej Turqisë. Që atëherë aristokratët tanë, që i shërbenin Turqisë si kondotierë dhe shefë bashibozukësh, kanë mbetur pa punë. Gjithashtu kanë mbeturpa punë dhe pa bukë fshatarët dhe malësorët e varfër, që shkonin në kohët e vjetra me bejlerët si bashibozukë dhe hajdutë për të plaçkitur Evropën, Azinëdhe Afrikën. Këto dy elementë përpiqen tani të përjetësojnë në Shqipëri një gjendje feudale, medievale, prapanike dhe reaksionare, si atë të Turqisë së vjetër, të vdekur përgjithnjë, se ashtu ua do interesi i klasës, se ashtu gjejnë punë dhe bukë.”

Edhe te “Republika” ai pat vënë re: “Në Shqipëri kemi me mijëra Don Kishotër, reaksionarë, të padjallëzuar, që përpiqen ta kthejnë rrotën e historisë prapa, njerëz që rrojnë me përrallat dhe fantazmat e patriarkalizmës dhe feodalizmës orientale”. Madje diku edhe më konkretisht: “...e keni njëkombës, arnaut të kulluar me silah e me tizga, që me kokën prapavajtëse i bie trimërisht murit modern të çeliktë”.

Nuk mungon të shohë Noli edhe aspektin tjetër të figurës, që e vënë në dukje shumë nga studiuesit paraardhës: atë të flijimit idealist të Kalorësit të Arratisur. Porse këtë flijim e përfill shoqërisht ta padobishëm: “Don Kishoti me sakrificat e tij... i sjell dobi vetëm mitologjisë reaksionare të Kohëve të Mesme”. “Sakrifikohet për një ideal të ndryshkur e të zgjyrosur si armët e tij”. Mandej, përfiton edhe nga ky rast për të hequr paralelen: “Njerës... si Don Kishoti, që sakrifikohen për përrallat e reaksionit, kemi edhe në Shqipëri sa të duash, po na mori lumi në pritshim shpëtim nga këta”.



 


Intervistė me Don Kishotin

Posted by beni on July 27, 2010 at 1:42 PM Comments comments (0)

Në këtë dynja gjërat janë të ngatërruara dhe të lodhesh për të vënë një çikë rregull nuk do t'ia vlente dhe aq.

Japim e marrim, sajojmë, shkatërrojmë, kemi histori që na ngelen në kujtesë dhe të tjera që i harrojmë menjëherë.

Ky dordoleci Don Kishot ka një fuqi magjike besoj, sepse ka shumë njerëz që merren me të edhe mbas 400 vjetësh, dhe sipas shenjave Don Kishoti ka privilegjin të mbetet dordoleci më jetëgjatë i botës.

Ka punuar shumë për këtë dynja, aq sa dhe “Frankeshtajnit” të tij Servantes i bëhet një goxha përmendore, të cilën nuk e dimë nëse do ta kishte pa dordolecin e tij.

Ka bërë popuj të tërë të qeshin dhe të tjerë të trishtohen për fatin e tij.

Ka lodhur dhe cfilitur mjaft nxënës shkolle të cilët, si gjithmonë, duhet të jenë të aftë të kuptojnë se si mësuesi i tyre e sheh këtë dordolec.

Por mbi të gjitha u ka shërbyer grupeve të njerëzve për të luftuar grupet e tjerë.

….. ju jeni vetëm ca donkishotë…

… mos vazhdo të veprosh si një donkishot..

Po le t'i japim pak frymë kësaj figure virtuale. Me siguri do na dalë ndonjë plak me një veshje metalike të ndryshkur dhe vende-vende të tejdukshme. Në kokë le të ketë një tufë lesh si të na sillte ndër mend kokrrën e qepës. Ndërsa në gojë mirë është të ketë dy-tre dhëmbë, se kështu parafytyrojmë më mirë mungesën e të tjerëve.

Nga e gjithë bota kanë vajtur gazetarë për ta filmuar dhe pyetur [më të privilegjuarit janë ata që njohin spanjishten e vjetër (u erdhi dita, më në fund!)].

G - Si të dukemi ne, dymijëedhjetësat, zoti Don Kishot?

D - Nuk ndryshoni fare nga njëmijëegjashtëqindëshat. Të njëjtën dëshirë për të rendur, për t'u krahasuar me njëri-tjetrin, për të parë big brother-in, për të krijuar shembujt që duhen apo nuk duhen ndjekur...

G - Pas 400 vjetësh, a mendoni se veprimet tuaja kanë qënë një marrëzi?

D - Aspak. Mendoj se jam nga të parët që bënë atë që sot shfaqet si teatër modern. Me pak shpenzime aktrova rolin që ëndërroja gjatë gjithë jetës. Skenën e konceptova jo me metra katrorë, por me kilometra katrorë. Bile dhe spektatorëve u dhashë role në skenarin tim

G - Megjithatë, shumë njerëz ju kanë tallur dhe lënduar për veprimet tuaja ….

D - Për të qënë i sinqertë, ata nuk më kujtohen, sepse është bërë shumë kohë që kanë vdekur. Por njerëzit këtë punë kanë. Atë që nuk qëndron në rresht e quajnë të marrë.

G - Çfarë mund të na thoni për babain tuaj Servantes?

D - Për momentin është kthyer në një kërpudhë që rron tek pema Don Kishot.

G - Çfarë do t'u këshilloje dymijëedhjetësave?

D - Të vrapojnë për të kapur ëndrrën e tyre.

 


Kumbulla pertej kuptimit... e Koliqit

Posted by beni on March 30, 2010 at 4:27 PM Comments comments (3)

Kjo i ndodhi Lec Gurrmollës…

Kështu nis “Kumbulla përtej murit”. Një fillim që të ngacmon fantazinë dhe që, në një rrjedhë logjike, të bën të mendosh për një vazhdim me përplasje, me ngjethje… ku të kishte dhimbje, frikë e lot, pse jo dhe një histori komike, nga ato që satira apo ironia na bëjnë të nxjerrim mësimin e rradhës.

Parafytyroj kohën kur isha nxënës gjimnazi dhe fantazoj ta kisha detyrë shtëpie analizën e kësaj pjese letrare. Një absurditet, sepse ky episod letrar ishte i ndaluar. Por edhe sikur të lejohej, për të bërë një detyrë të tillë në atë kohë nuk do të mjaftonte as ndihma e ndonjë perëndie, që mund të kishte ngelur akoma në malin e Tomorrit. Ne nuk dinim ndonjë gjë për teoritë e Frojdit dhe si përfundim, “çelësat” që hapnin letërsinë e asaj kohe, do të na linin para derës së mbyllur. Megjithatë kjo skicë letrare kishte për të na pëlqyer kurdoherë që do ta lexonim.

Besoj se parafytyrimi i asaj kohe nuk është shumë larg nga një detyrë në orën e sotme të mësimit, sepse mësuesit tanë nuk janë akoma si Lec Gurrmolla. Atëherë pse duhet të mendoj që e kanë nxënësit shansin të jenë si ai?

Lec Gurmolla bëri atë që në jetën e përditshme në e quajmë budallallëk. Kaloi murin, eci sikur të ishte fëmijë apo ca veprime të tjera të ngjashme me to. Ernest Koliqi këtë pamje të zakonshme e pikturon si një piktor i jashtëzakonshëm.

Duke lexuar këtë shkrim (apo duke parë këtë pikturë;), njihemi me shumë ngjyra që i kemi rrotull dhe nuk i shohim, mësojmë se kjo gjuha e këtyre veriorëve nuk është vetëm ajo “e pakuptueshmja”, por paska edhe një muzikalitet, që me të drejtë duhet të na bëjë ne të arsimuarve të jugut, të ndjehemi xhelozë.

Disa të tjerëve ky shkrim u jep shansin që të njohin mënyrën se si shkruhet për të bërë art.

Por janë dhe shumë të tjerë ( në të cilët hyj dhe vetë;) të prirur mbas quiz-eve të inteligjencës dhe mjaft të talentuar për t’i dhënë përgjigje pyetjes që lodh tradicionalisht mësuesin e letërsisë: “Çka dashur të thotë autori me këtë?”.

Dreqi e morri!... pasi lexova “Letër babait” tëshkruar nga Kafka, them se jam i zoti t’i përgjigjem pyetjes se ç'ka dashur të thotë Kafka me ato që ka shkruar. Thjesht, ka gjetur një marifet për të hedhur në letër hallin e tij, që i vinte nga ndonjë dhimbje e stomakut apo nga ndonjë brengë e pashëruar e adoleshencës.

Mendoj se për të shkruar “Kumbulla përtej murit”, Koliqi është frymëzuar nga ndonjë gjumë i ëmbël i pasdites, nga ata të rrallët, ku ndodh që në ëndërr të takojmë miqtë tanë të dashur të së shkuarës dhe kur zgjohemi, jemi të çlodhur, për të shpënë deri në fund ndonjë punë të lënë përgjysëm.

P.S.

Më kujtohet filmi Postieri me Pablo Nerudën. Më saktë momenti kur Neruda sqaron se nuk dinte të shprehte me fjalë të tjera atë që kishte shkruar. Kur shpjegohet, poezia bëhet banale. Më i mirë se shpjegimi, është emocioni i drejtpërdrejtë që poezia i transmeton një shpirti të gatshëm për ta kuptuar.

Besoj se kjo vlen edhe për tregimin tonë.