Ëndrra e Don Kishotit

Klasa e letërsisë

faqe në ndihmë të gjimnazistëve

 Fletorja e shënimeve

Këto janë shënime për tekste të ndryshme  letrare, sipas programeve mësimore. Këto shënime ju orientojnë të gjeni pikat kyçe të tekstit, sugjerojnë çështje që mund të trajtohen në orët e mësimit, ide etj. Shënimet e kësaj fletoreje është mirë të lexohen paraprakisht, sepse ndihmojnë për t'u përgatitur për orën e mësimit.

 


 

Jeronim De Rada - Këngët e Milosaos

(çështje që mund të trajtohen në një orë mësimore për “Milosaon”)

klasa e 10-të. Skedari i komentit (libri i Sh.B. Albas)

·         Kënga XX

Poemat epiko-lirike quhen të tilla, sepse ngërthejnë lirizmin (shprehjen e ndjenjave, emocioneve, tipare këto të llojeve lirike) me epizmin (rrëfimin, dialogun, etj., tipare të llojeve epike).

Në këtë rast, dialogu është elementi që i jep kësaj poeme të drejtën të quhet epiko-lirike.

-Vini re cilët janë dialoguesit dhe si i quan ata De Rada?

Dialoguesit janë Milosao dhe Rina. De Rada i quan ata trimi dhe vajza. Ndoshta kemi të bëjmë me një huazim prej poezive popullore (trimi e vasha), sipas konceptit poetik popullor për të rinjtë e dashuruar.

-Një poet tjetër shqiptar që i përdor gjerësisht këto emërtimeeshte Lasgush Poradeci (edhe ky e ka kult poezinë popullore).

 ***

-Vini re elementët që mund të na tregojnë, se për cilin moment bëhet fjalë në këtë këngë.

Tërmeti ka rrafshuar Shkodrën, njerëzit kanë humbur shtëpi e pasuri. Askush nuk mund të quhet më i pasur se tjetri:

Trimi: - Shkodra më s’thuhet qytet...

Eshtë truku që ka gjetur De Rada romantik për të bashkuar dy të dashuruarit. Rrafshon Shkodrën, rrafshon dallimet të pasur-të varfër, Milosao-Rinë... kështu triumfon përkohësisht dashuria.

Përtej malit gjejmë priftër (larg, se Shkodra u rrafshua, por jo mentaliteti)

Që të na martojnë...

 ***

-Mundohuni të shpjegoni rolin e vajzës (pra dhe të dashurisë), mbështetur në vargjet:

Si ai që një yll të qetë

sheh e zemrën ia ngroh,

yll që thot: “Vështromni dritën,

bota nuk do të shkallmohet”.

Vasha, pra dhe dashuria është qendra e patundur e botës, ekuilibri, thelbi i pandryshueshëm në çdo fatkeqësi.

 

-Krahasoni vargjet:

Veç në sy të shihemi,

Pa dhe bota të përmbyset...

me:

yll që thot: “Vështromni dritën,

bota nuk do të shkallmohet”.

Një përmbysje që urohet ose pranohet, mjaft që ta shohë të dashurën në sy (me këtë kusht pra: një vështrim të dashurës). Dhe e parë së prapi, përmbysja ka ardhur, por neutralizohet pikërisht prej këtij vështrimi (bota nuk do të shkallmohet).

 ***

-Në kaq pak vargje mund të shihet dhe ndarja klasore? Madje dhe qëndrimi i fisnikërisë?

...bir bujari... unë s’jam një zonjë e madhe... (fisnikë – të varfër)

...jot kunatë mizorja (qëndrimi i saj)

 ***

-Lexoni dhe komentoni tre vargjet e fundit të fragmentit. Do të gjeni sa e madhe është dashuria e Miosaos për Rinën (sa mund të sakrifikojë ai për të).

·         Kënga XXX

Eshtë kënga e fundit e poemës.

Pasi Mliosaoja shijon dashurinë dhe martesën, pasi i vijnë fatkeqësitë njëra pas tjetrës (i vdes i biri dhe e shoqja), kthehet tek detyrimi i tij patriotik. Këtu e shohim të ketë mbetur i plagosur në një lumë përballë Shkodrës. Janë çastet e tij të fundit.

Të gjitha këto thuhen në tre-katër vargje:

Gjaku im te Lumi i Vodhit.                            (i plagosur)

Hapeni shatoren,

o ushtarë...                                                 (është plagosur në luftë)

atje nuk do zgjohem më...                           (janë orët e fundit të tij)              

Mblidhen shokët mbrëmanet                        (jeta është normale,

në katund, në vatërët.                                   qyteti i ka mbijetuar sulmit turk)

-Vini re koncizitetin e gjuhës poetike të De Radës, aftësinë për të përcjellë kaq shumë informacion dhe emocione me kaq pak fjalë / vargje (lakonizmi).

Madje vargu që përcjell informacionin më të rëndësishëm (që Milosaoja ka dhënë jetën për atdheun) është i gjithi një fjali ku mungon folja (Gjaku im te Lumi i Vodhit).

 ***

-Në cilat vargje mund të kuptojmë stinën?

Fryjti era e maleve

dhe rrëzoi hien e lisit.

Prag dimri.

Jepni mendimin tuaj, pse natyra e kësaj kënge të jetë pikërisht dimri? A ka ndonjë lidhje me jetën e Milosaos (shihni dhe këngën e parë). Mos harroni që për romantikët natyra luan një rol të dorës së parë për të shpjeguar dhe ilustruar situata.

 ***

Vini re emocionin e fortë që përcjellin fjalët, më mirë, mendimet e fundit të heroit. Përcjellja e emocionit realizohet përmes disa fjalëve apo situatave kyç të këngës:

-vendosja në një radhë (varg) e Shkodrës dhe motrës (e njëjta dashuri?).

-pamundësia që shprehet tek vargu i thjeshtë atje nuk do të zgjohem më.

-malli për diçka që do të ndodhë pa të...mblidhen shokët dhe vatër (ngrohtësi), etj.

 ***

Dëgjoni dhe shihni në YouTube historinë e këngës arbëreshe “Moj e bukura More”: http://www.youtube.com/watch#!v=e-Om6EuTJiE&feature=related

ngjitu në krye


Kadare - Ura me tri harqe

(klasa e 10-të)

Çështjet që mund të trajtohen në orët e mësimit për novelën e Kadaresë.

                                                                                                       

 

* * *

Novela ngrihet mbi njërën prej baladave më të bukura shqiptare, baladën e murimit. Kjo baladë në trevat shqiptare ekziston në dy variante:

1.       Varianti i murimit në murin e një kështjelle (Rozafa, varianti më i njohur).

2.       Varianti i murimit në këmbët e një ure (Ura e Artës).

Një variant tjetër më pak i njohur është dhe ai i murimit në një mur kishe.

Thelbi i vjetër i baladës është ideja se çdo ngrehinë kërkon një flijim që të mbahet më këmbë.

Balada duhet të jetë krijuar në kohën kur fiset nomade (shtegtare) filluan të qëndrojnë në ngulime të qëndrueshme dhe kështu filluan të ndërtojnë për herë të parë ngrehina prej guri.

Balada me sa duket pasqyron tronditjen shpirtërore të kalimit nga çadrat dhe tendat në ndërtime më të palëvizshme prej guri.

Megjithatë koha e saktë e baladës, ashtu siç e njohim sot, është vështirë të përcaktohet me saktësi.

 

* * *

Pyetje:

Pse koha e baladave dhe legjendave (edhe e kësaj balade) është e papërcaktuar?

Sepse koha e baladave dhe e legjendave është abstrakte dhe simbolike. Çdo legjendë ka mesazh me vlerë simbolike dhe alegorike, ndaj dhe nuk vlen për një kohë të caktuar, por për të gjitha kohët.

Prandaj nuk është e rëndësishme të flasë për kohën me një vlerë konkrete (të përcaktuar qartë).

Jepni për ilustrim legjenda të tjera që dini.

 

* * *

...u zhvillua brenda një kohe shumë të shkurtër, sa të hapësh e të mbyllësh sytë...

...në atë ditë të vrenjtur dukej sikur qysh nga mëngjesi ora kishte qenë gjithmonë 4.

Koha përshkruhet si abstrakte dhe absurde bashkë. Sikur nuk lëviz si zakonisht në mënyrë lineare (gjithmonë 4), si të jetë veç një moment i ngrirë (sa të hapësh e të mbyllësh sytë)

1.       Pse koha është e tillë?

2.       Cili është qëllimi i autorit?

Sepse në këtë rast Kadareja kërkon që kohës t’i japë vlerë simbolike.

E zhvesh atë nga elementët e normalitetit, rrjedhjes lineare, etj. për ta bërë të veçantë, jonormale, jo të zakonshme (të jashtëzakonshme), sepse do që koha të ngërthejë në vetvete rëndësinë e asaj që po ndodh.

Ajo që po ndodh është e një rëndësie simbolike, është prologu i asaj që do të vijë më pas (ndeshja me Perandorinë dhe robëria e gjatë)

 

* * *

Pasi të vini re dhe të kuptoni mënyrën se si Kadareja e shndërron kohën, vini re si përshkruhet mjedisi dhe ngjarja (gjeni elementë të përshkrimit).

...rrafshulëta ngjante si e shtypur nga avujt e lagësht... gjithçka dukej e humbët... mënyrë e beftë... u pollën kalorës... mjegullnajë e ftohtë... vrap paksa i çuditshëm... furtunë e padukshme... etj.

Cili është qëllimi i Kadaresë që bën një përshkrim të tillë? (çfarë atmosfere kërkon të krijojë?)

Me bërjen e kohës të pakohë dhe mjedisit të ëndërrt, Kadareja kërkon të krijojë një realitet makthi, një atmosferë si në një ëndërr të keqe.

Elementë të tjerë për ta ilustruar këtë mendim:

Shprehja “valle memecësh”, që nuk ka asnjë kuptim. Por që kërkon të tregojë pamjen memece, me veprime të shurdhëta, si nëpër ëndërr.

 

* * *

Lexoni vlerësimin e T. Çaushit (në tekstin Albas) për përdorimin e legjendës në dy vepra të Kadaresë (“Kush e solli Doruntinën” dhe “Ura me tri harqe”). Mundohuni të shtjelloni dhe të jepni mendimin tuaj për çështjet e mëposhtme:

  1. Si përdoret legjenda në të dy librat?
  2. Zbuloni elementët që sjellin frymën e legjendës dhe elementët reale historike (Ura me tri harqe).
  3. Si gërshetohen ato?

Fryma legjendare:

Elementët e përshkrimit të incidentit.

Fjalitë: Kjo është vdekje e vogël...vdekja e madhe, ajo që merr popuj s’ka për të ardhur... Arbri ka lindur bashkë me perënditë, etj.

Elementët historikë:

Toponimet dhe emërtimet e fisnikëve shqiptarë, etj.

Gërshetohen përmes rrëfimit të murgut Gjon Ukcama, që del si kronikan dhe përfaqësues i ndërgjegjes popullore.

 

* * *

Vini re dhe mundohuni të shpjegoni përdorimin në fragment të përemrit vetor “Ne”.

Punoni me paragrafin “Vdekjen e kemi pranë...”

Duket se vetori “ne” është përdorur enkas prej autorit, ndoshta për të njëjtësuar fatin e kombit me atë të individit. Ky është një nga tiparet thelbësore të pozës së tij.

Identifikimi i fatit të individit me fatin e kolektivit.

Mundohuni ta ilustroni këtë tipar përmes krahasimit të dy paragrafëve:

1.       E megjithatë unë e ndjej sa Arbri ka përpara një zi të madhe. Kjo natë që po na afrohet, s’do të gdhijë shpejt. Akrepat e orës së saj ecin ngadalë, shumë ngadalë...

2.       ...Po shpejtoj të mbaroj kronikën time, sepse koha ecën tani mbrapsht, si gaforrja... dhe atëherë shkrimi i kronikave shqipe mund të paguhet me kokë. Dhe kjo kronikë, ashtu si ura vetë, mund të kërkojë një fli, dhe këtu i flijuari s’ka kush të jetë tjetër veç meje...

 

* * *

Ç’është ura dhe ç’është muri i kështjellës? Ndoshta njëra të lidh me botën, ndërsa tjetra të mbron nga bota (ose i këput lidhjet me botën, u vë atyre një mur, një pengesë).

Pse shqiptari të ketë dy variante të baladës? Ndoshta kjo tregon dilemën e tij: të ngrejë rrugë lidhjeje me botën, të japë e të marrë me të apo t’i presë ato, t’u ngrejë një mur, të izolohet?

Në fund të fundit, rruga sa sjell të mirën, aq mund të sjellë dhe të keqen, rrezikun... Kujtoni Gjergj Elez Alinë (nga i vjen e keqja, Balozi... nga deti).

Mundohuni t’i jepni përgjigje pyetjes së shtruar në këtë novelë:

Flijim në këmbët e një ure apo në muret e një kështjelle?

(mbështetuni edhe në foton e mëposhtme)

 

 

Ushtarë serbë duke kaluar mbi Urën e Vezirit.

Në krijimin e hartës së tekstit do t'u ndihmojë dhe zgjidhja e fjalëkryqit.

 ngjitu në krye

 

Members Area

Materiale ndihmëse - publikimet më të reja

Recent Videos

62 views - 0 comments
249 views - 0 comments

Përshtypje

  • "Dua t'ju falenderoj per iniciativen tuaj ne kete pune, pasi jeni te paret qe keni ndermarre nje faqe te tile ne internet. Faqja juaj me ka ndihmuar shume ne perforcimin e njohur..."
    Xhulio Kondakçiu
  • "Ju përgëzoj për punën që keni bërë, me të vërtetë që është një punë shumë e vlefshme, pasi ju po na ndihmoni shumë me këto vepra dhe komentin e tyre. JU FAL..."
  • "Nje falenderim shume i madh shkon per ju Profesor, per punen e shkelqyer dhe ndihmen teper te nevojshme per ne gjate ketij sezoni provimesh, ..."
    gana